Sport

Florian Marku s’di për humbje, tallet me kundërshtarin pasi e mposht me nokaut

Florian Marku nuk ka të ndalur. Boksieri shqiptar vijon të korrë suksese në ring dhe një gjë të tillë e bëri edhe mbrëmjen e sotme ndaj anglezit Tommy Broadbent, teksa e hodhi në nokaut në raundin e katërt.

Dueli i zhvilluar në “O2 Arena” në Londër ishte e mbushur plot, ku natyrisht nuk munguan as flamujt shqiptarë.

Ueb-faqja e njohur e boksit, “Worldboxinnews”, shkruan se Marku, një ish-yll i MMA-së, mposhti Tommy Broadbent para një turme të flaktë tifozësh që kishin udhëtuar për ta parë idhullin e tyre.

Ndërkohë, pas fitores nuk kanë munguar as thumbimet për rivalin, të cilin e konsideroi si vrapues në ring dhe jo si boksier, ndërsa e përshkruan me fjalët:

“Fitova në raund të 4 me nokaut. Kundërshtari më shumë ka vrapu se sa ka boxu. Ne vazhdojmë para me kokën lart. I falënderoj të gjithë shqiptarët që ishin të pranishëm te ndeshja. Shihemi prapë me 20 shtator”, shkruan Marku.

Kjo ishte fitorja e katërt e Markut, të gjitha me nokaut, që kur ka kaluar nga MMA-ja në kategorinë e lehtë të boksit.

Dje, gjatë peshimit të dy kundërshtarëve, Marku e ngacmoi pak Broadbentin duke iu sulur kinse po e sulmon, veprim që e bëri kundërshtarin e tij të trembet.