Sport

Icardi përjashtohet nga Interi

Mauro Icardi mund të llogaritet si i larguar nga Interi pas zhvillimeve të fundit, ndërmjet lojtarit dhe klubit nerazzur.

Një ditë më parë, drejtori i skuadrës Marotta kishte thënë se sulmuesi argjentinas nuk bën pjesë në planet e zikaltërve, ndërsa të shtunën Icardi ka lënë grumbullimin në Lugano dhe është kthyer në Milano.

Lajmin e ka dhënë klubi në një deklaratë, ku thuhet se sulmuesi bashkë me drejtuesit e skuadrës kanë vendosur që Icardi të kthehet në Milano dhe të vazhdojë përgatitjet i vetëm, transmeton “Sporti në KTV”.

“Mauro Icardi do të kthehet sot në Milano. Vendimi është marrë nga klubi bashkë me futbollistin. Ai do të vijojë përgatitjet atletike në qendrën stërvitore të klubit dhe nuk do të marrë pjesë në turneun veror aziatik”, thuhet në njoftimin e klubit.

Ky fakt konfirmon edhe njëherë se Icardit nuk i mbetet gjë tjetër, veçse të kërkojë për një tjetër skuadër, me Juventusin që është më së afërmi sulmuesit.