Koscielny refuzon të udhëtojë me Arsenalin në SHBA

Koscielny refuzon të udhëtojë me Arsenalin në SHBA

11 July 2019 21:51

Kapiteni i Arsenalit, Laurent Koscielny, ka refuzuar të udhëtojë me klubin në SHBA për turneun parasezonal.

Mbrojtësit 33-vjeçar i skadon kontrata me Arsenalin në verën e vitit 2020 dhe ai është duke u kërkuar nga skuadrat franceze si Bordeaux, Rennes dhe Lyon.

"Ne jemi shumë të dëshpëruar me veprimet e Laurentit, që janë kundër instruksioneve tona të qarta. Ne shpresojmë të zgjidhet kjo çështje dhe nuk do të bëjmë komente të tjera në këtë moment", është thënë në një komunikatë të Arsenalit të enjten.

Bordeauxi raportohet se i ka ofruar Koscielnyt kontratë trevjeçare. Qendërmbrojtësi i është bashkuar Arsenalit në verën e vitit 2010 për 12.5 milionë euro nga Lorienti, transmeton Koha Ditore.

Ai ka luajtur 353 ndeshje për skuadrën londineze dhe ka fituar dy herë Kupën FA në stinoret 2013-14 dhe 2014-15.

Stinorin e kaluar, Koscielny luajti 30 ndeshje për klubin në të gjitha garat.

Arsenali ka qenë në bisedime me Koscielnyn për vazhdim të kontratës që nga fundi i stinorit të kaluar dhe në atë kohë klubi kishte vlerësuar se bisedimet po shkonin në drejtimin e duhur.

Mirëpo, 33-vjeçari me t'u kthyer nga pushimi i verës kërkoi të lirohej një vit para se t'i skadojë kontrata. Këtë kërkesë Arsenali e refuzoi.

Bisedimet janë mbajtur në javët e fundit, por nuk ka pasur një zgjidhje.

Të mërkurën, Koscielny ka bërë të ditur qëllimin që të mos i bashkohet skuadrës në SHBA dhe ai e ka konfirmuar këtë vendim edhe në fushën stërvitore, të enjten në mëngjes.

Koscielny do të përballet me masa disiplinore, ndërsa ai pritet të vazhdojë stërvitjet i vetëm dhe nëse vazhdon të refuzojë skuadrën, atëherë do të jetë shkelje e kontratës. Atij ende nuk i është marrë shiriti i kapitenit.

Sjellja e Koscilenyt ka befasuar zyrtarët e Arsenalit, që po shikonin të përforconin edhe më shumë mbrojtjen, por nuk e kishin ndërmend të shisnin kapitenin.

Deri më tash nuk ka një ofertë zyrtare për francezin, mirëpo Koscielny është i vendosur të kthehet në Francë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme