Sport

Kundër TNS-së, te Feronikeli mungojnë Hoti, Hoxha dhe Millaku

Foto: Koha

Pasi e kaluan me sukses fazën parakualifikuese, te Feronikeli janë shprehur optimistë për paraqitje të mirë edhe në ndeshjen e parë të rundit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve.

Trajneri i kampionit të Kosovës, Zekirija Ramadani, ka thënë për “Sportin në KTV” se futbollistët e tij janë të gatshëm ta japin maksimumin për një rezultat pozitiv kundër skuadrës nga Uellsi, The New Saints.

Ai ka shtuar se një rezultat pozitiv, do të ishte mirë për ndeshjen e kthimit që do të luhet pas një jave në “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Ramadani ka thënë se në Kosovë janë stërvitur gjatë tërë kohës në fushën me bar sintetik, për t’iu përshtatur stadiumit “Park Hall” që është gjithashtu me bari sintetik, raporton “Sporti në KTV”.

Ai shpreson fusha nuk do t’u paraqesë problem futbollistëve të tij.

Ramadani tutje, ka theksuar se pret nga secili futbollist t’i kryejnë detyrat për të arritur rezultat pozitiv.

Feronikeli nuk do të mund të llogarisë në Mendurim Hotin, Yll Hoxhën dhe Met Millakun.

Ndeshja The New Saints – Feronikeli do të zhvillohet të martën nga ora 20:00.