Sport

Zyrtare: Kastriot Dermaku kalon te Parma

Foto: Parma FC

Parma ka zyrtarizuar mbrojtësin e kombëtares së Shqipërisë, kosovarin e lindur në Itali, Kastriot Dermaku, si lojtar të lirë pasi kontrata me Cosenzan i kishte përfunduar.

Mbrojtësi 27 vjeçar nënshkroi kontratë me klubin e Serie A deri më 2023.

Ky do të jetë sezoni i tij debutues në Serie A, ndonëse karrierën e zhvilloi në Itali me Sassuolon, Melfibin, Empolin, Pavian, Lucchesen dhe nga 2017-a, me Cosenzan, raporton Koha.net.

Sezonin e fundit, ai shënoi një gol në 32 paraqitje në Serie B, por nuk nënshkroi kontratë të re me ish-klubin e tij.

Dermaku ka lindur në Scandiano, në pjesën verilindore të Italisë, dhe është i biri i Luan Dermakut, ish-futbollist profesionist që luajti si sulmues për Prishtinën gjatë epokës së Fadil Vokrrit.

Më 31 gusht, 2018, Dermaku mori ftesë nga Kosova për ndeshjet e Ligës së Kombeve kundër Azerbajxhanit dhe Ishujve Faroe. Ai ishte rezervë e painkuadruar në ndeshjen e parë. Më 9 shtator 2018, Dermaku la Kosovën pasi nuk u përfshi në listën e të ftuarve për ndeshjen kundër Ishujve Faroe dhe zgjodhi të përfaqësonte Shqipërinë.

Më 30 janar, 2013, Dermaku mori ftesë nga U21-shat e Shqipërisë në një ndeshje miqësore kundër Maqedonisë U21 dhe debutoi si zëvendësues.

Më 2 tetor, 2018, Dermaku u ftua nga kombëtarja e Shqipërisë për ndeshjen miqësore ndaj Jordanit dhe në ndeshjen garuese kundër Izraelit në kuadër të Ligës së Kombeve.

Dermaku, deri më tani me Shqipërinë ka 3 paraqitje, ndërsa e fundit është ajo e muajit të kaluar.