Sport

UEFA po mendon t’i mbrojë çerekfinalistët e “Championsit”

UEFA është duke shqyrtuar mundësinë që të mbrojë skuadrat që arrijnë në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, duke ua garantuar një vend në garë edhe në stinorin vijues.

Ajaxi arriti në gjysmëfinale të "Championsit" stinorin e fundit, por është dashur të shesë një numër të lojtarëve në verë dhe nuk e ka të sigurt pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve stinorin e ardhshëm, pasi do të luajë në eliminatore, shkruan sot Koha Ditore.

Dhe presidenti i UEFA-s, Aleksander Çeferin ka zbuluar se propozimet e reja janë në tavolinë për të evituar përsëritjen e kësaj situate.

"Ne duam të mbrojmë skuadrat si Ajaxi këtë vit, apo Monaco e Leicester City më herët. Ajaxi luajti në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve këtë vit dhe tash duhet t’i shesë të gjithë lojtarët pasi nuk është e ditur nëse do të kualifikohet në Ligën e Kampionëve vitin e ardhshëm. Nuk besoj se duhet të mbrojmë shumë klube, pasi atëherë gara do të bëhej tepër e mbyllur, por mendoj se duhet të mbrojmë disa. Një ide është që skuadrat që arrijnë sukses në fazën e caktuar të garës atëherë të kenë të drejtë të garojnë edhe vitin vijues", ka thënë Çeferin për "Times". "Por është ende vetëm diskutim. Ne kemi një takim më 11 shtator për të debatuar me ligat dhe klubet".

Po ashtu ka diskutime për një format të ri, ku do të përfshiheshin katër grupe nga tetë skuadra e jo tetë grupe nga katër skuadra. Po ashtu po shqyrtohet mundësia të rritet gara në 40 apo 48 skuadra.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)