Sport

Tri skuadra të hendbollit paraqiten në Evropë

Tri skuadra të hendbollit e kanë shfrytëzuar të drejtën e aplikimit për të garuar në kupat evropiane edicionin e ardhshëm.

Sipas FHK-së, të martën ishte afati i fundit për të konfirmuar pjesëmarrjen, ndërsa këtë prej Kosovës e kanë bërë Besa Famgas e Kastrioti te meshkujt dhe Istogu te femrat. Besa e Istogu do të garojnë në Kupën e EHF-së, ndërsa Kastrioti në Challenge Cup, raporton “Koha Ditore”.

Janë këto skuadrat që kanë fituar trofe në edicionin e fundit. Besa fitoi titullin, Kastrioti Kupën, ndërsa Istogu fitoi të dy trofetë. Besa paraqitet rregullisht në Evropë, ndërsa ka bërë hapa para në vitet e fundit, njëjtë si Kastrioti.

Ndërkohë Istogu edicionin e kaluar e kaloi kundërshtarin e parë evropian. Shorti për gara evropiane tërhiqet më 16 korrik, ndërsa më 9 korrik caktohen vazot. Skuadrat kosovare në shtator nisin me sfida evropiane. Jo vetëm në hendboll ka skuadra që nuk e shfrytëzojnë të drejtën e garimit evropian.

Kjo ndodh për shkak të kostos së lartë financiare dhe pamundësisë për të siguruar të hyra. Në volejboll janë paraqitur vetëm dy skuadra që do të luajnë vetëm në nivelin e tretë.

Vetëm në futboll të hyrat nga pjesëmarrja në kupa evropiane janë të mëdha. Në sportet e tjera ka shpenzime në vend të të hyrave.