Sport

Trajneri Put, i urryer në Evropë - i adhuruar në Afrikë

Paul Put duket jashtëzakonisht i qetë. Trajneri 63-vjeçar nga Belgjika që është në krye të Përfaqësueses së Guinesë, nuk po e ndien fare presionin përpara duelit të së dielës kundër Burundit në kuadër të Grupit A të Kupës së Afrikës.

Duke pasur parasysh se Guinea ka marrë vetëm një pikë prej dy ndeshjeve të para, ekipit nga Afrika e Perëndimit i duhet medoemos fitorja ndaj Burundit për të kaluar fazën e grupeve, shkruan DW, transmeton “Koha Ditore”. Përderisa tensioni është i madh te lojtarët dhe tifozët që duan ta shohin ekipin të mbetet në këtë garë, një gjë e tillë nuk mund të thuhet edhe për seleksionuesin Put.

“E kemi një finale para vetes, por ekipi duhet të përballet me presion dhe gjëra të tilla. Mendoj se kemi cilësi të mjaftueshme për ta fituar këtë ndeshje”, ka thënë Put. “Jam shumë i qetë dhe nuk po ndiej fare presion. Një gjë të tillë e kam kërkuar edhe prej lojtarëve”.

Fakti që Put po tregohet kaq i qetë me gjithë presionin e madh nuk është rastësi. Ai ka kaluar nëpër situata më stresuese dhe më të vështira në karrierën e tij të gjatë si trajner.

“Ky presion nuk është asgjë me presionet që i kam pasur në të kaluarën time dhe nuk më pëlqejnë t'i kujtoj”, ka shtuar Put.

Si lojtar, Put ka luajtur shumë vite në divizionin e dytë të Belgjikës përpara se të tërhiqej nga loja aktive dhe të fillonte me zejen e trajnerit. Në shkurt të vitit 2006, Put ishte kapur në skandalin më të madh të kurdisjes së ndeshjeve në futbollin belg.

Në fakt, ai ishte njeriu kryesor i kësaj çështjeje, të cilën edhe e ka pranuar përpara se të suspendohej. Put ka pranuar se gjatë edicionit 2004/05 kur ishte trajner i ekipit elitar të Belgjikës, Lierse SK, i ka kurdisur dy ndeshje. Ai ka thënë se në këtë ishte përfshirë së bashku me biznesmenin nga Kina, Ye Zheyun, i cili kishte marrë Liersen në pronësi gjatë vitit 2004.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)