Sport

SHBA-ja prish përbërjen evropiane në botërorin e femrave

Kampionia në fuqi e botës, SHBA-ja, është përfaqësuesja e vetme që po u qëndron në rrugë atyre të Evropës në garën për titullin e kampionit në botërorin e femrave "Franca 2019".

SHBA-ja dhe shtatë përfaqësuese të tjera nga Evropa janë kualifikuar në çerekfinale të këtij turneu. Dhe në çerekfinale, SHBA-në e pret një duel i vështirë me Francën vendase. Ndeshja do të luhet të premten mbrëma, shkruan sot Koha Ditore.

Italia dhe Holanda të martën mbrëma u bënë ekipet e fundit të Evropës që konfirmuan kualifikimin në çerekfinale, pasi mposhtën Kinën dhe Japoninë për të shuar përfundimisht ëndrrën e përfaqësueseve të Azisë për të bërë diçka më shumë në Evropë. Ekipet e tjera nga Afrika dhe Amerika e Jugut janë eliminuar më herët. Pos SHBA-së, Francës, Italisë e Holandës, në mesin e tetë më të mirave janë edhe Gjermania, Suedia, Norvegjia e Anglia.

Në fakt, kurrë nuk ka pasur më shumë ekipe nga Evropa në këtë fazë të botërorit sesa tash. Që prej inaugurimit të turneut në vitin 1991, në çerekfinale maksimumi kanë mbërritur pesë përfaqësuese nga Evropa. Këtë herë, me mungesën e Japonisë dhe Brazilit, gjasat janë të mëdha që titulli i botës të mbetet në Evropë. Por SHBA-ja si kampione do të mundohet t'ua prishë llogaritë, insiston trajnerja Jill Ellis.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)