Sport

KOK-u fton deputetët që nesër të jenë njëzëri për të mirën e sportit

Lajmi për hyrjen në Rend të Ditës në seancën e nesërme të Kuvendit të Kosovës, Ligji për Tatimin e të Ardhurave në Korporata, përkatësisht Amendamenti, i cili do t’i jepte rrugë të menjëhershme Ligjit për Sponsorizimin në fushën e Sportit, Kulturës dhe Rinisë, ka gëzuar Komitetin Olimpik të Kosovës.

KOK-u, përmes një komunikate për media thotë se, beson fuqishëm se pas dy mos aprovimeve të këtij Ligji, nesër të gjithë deputetët unanimisht do të votojnë këtë Amendament, i cili i jep krahë zhvillimit të sportit në vend, transmeton Koha.net.

“Fitimi i medaljeve të fundit të xhudistëve tanë në Lojërat Evropiane Minsk 2019, rezultatet e jashtëzakonshme në futboll, basketboll e hendboll, si dhe karate, boks, etj, janë sinjali i fundit që edhe deputetët edhe shteti, duhet të jenë prapa ambasadorëve më të mirë të vendit tonë, të cilët jo një herë, por tri herë e ngritën lartë këto ditë flamurin e Kosovës në shtetin që nuk e njeh vendin tonë, Bjellorusinë”, thuhet në komunikatë.

KOK fton edhe një herë deputetët që njëzëri ta mbështesin miratimin e këtij Ligji dhe këtij Amendamenti, pasi kjo është mënyra e vetme që biznesi t'i japë krahë sportit, t’i mbështes sportistët e Kosovës, si dhe fëmijët e tyre, duke i larguar nga rrugët devijante.