Sport

Loriana po e shijon medaljen nga Minsku me mendjen në Tokio

Descriptive Text

Tri medaljet që Loriana Kuka i fitoi këtë vit në garat e turit botëror të xhudos paralajmëruan ngritjen e madhe të 22-vjeçares.

Loriana doli e suksesshme në garat e nivelit Grand Prix. Në fund të janarit fitoi medalje të argjendtë në Tel-Aviv e në fillim të marsit në Marrakech. Në fund të marsit doli e artë në Tbilisi dhe më pas nisi fazën përgatitore për ngjarjen e dytë më të madhe të vitit.

Trajneri Driton Kuka kishte vlerësuar ngritjen e saj, por kishte mëdyshjet nëse Loriana ka përvojën e duhur për të fituar medalje në Lojërat Evropiane që po mbahen në Minsk. Dhe mbesa e tij e befasoi. Për të mirë, shkruan sot Koha Ditore.

Loriana Kuka të hënën fitoi medaljen e bronztë në kategorinë deri 78 kilogramë në Minsk të Bjellorusisë. Në fakt ajo me një garë fitoi medalje në Lojërat Evropiane dhe në kampionatin evropian të xhudos, pasi gara e Lojërave Evropiane vlen edhe si kampionat për këtë sport tashmë lider luftarak.

Pas fitores ndaj një britanikeje dhe humbjes nga një holandeze, Loriana "lidhi" dy fitore për të arritur te medalja e bronztë. Për të është medalja e parë në kampionate si seniore. Vjet fitoi të artën në Evropianin U-23, ndërsa kishte fituar dy të arta në Antalya e Tashkent në garat e nivelit Grand Prix.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)