Sot, më 23 qershor janë bërë 1 vit nga vdekja e basketbollistit të njohur kosovar, Gazmend Sinani.
Ai kishte humbur jetën në një aksident komunikacioni, derisa të lënduar kishin mbetur Fisnik e Granit Rugova, Altin Morina, si dhe fizioterapeuti Kujtim Shala. Sinani ishte i grumbulluar me Kosovën në përgatitjet për kualifikimet e Kupës së Botës “Kina 2019”.
Gazmend Sinani ishte 27 vjeçar. Pasi kaloi grupmoshat e reja në Prishtinë, karrierën e vazhdoi në Turqi, ku ishte pjesë e akademisë së Fenerbahçes dhe kombëtareve turke të grupmoshave të reja.
Në Kosovë ka luajtur për Prishtinën, Bashkimin e Rahovecin, kurse në klube të ndryshme turke është paraqitur disa sezone. Më 2017/18 luajti në ligën elite në Angli.
Sinani ishte anëtar i kombëtares së Kosovës, që nga pranimi i FBK-së në FIBA.
Me humbjen e tij, Kosova ka humbur një prej basketbollistëve më të mirë të gjeneratës, derisa kombëtarja ka humbur njërin prej basketbollistëve më të vlefshëm dhe më luftarak.
Angazhimi i tij gjatë përgatitjeve për ndeshjet e qershorit ka qenë inspirim dhe motivim për bashkëlojtarët, kurse qasja e tij profesionale dhe shpirti luftarak do të mbeten në kujtim të secilit adhurues të basketbollit.
Fanella e tij me numër 15 është pensionuar te Kosova dhe përveç Sinanit nuk do ta bartë askush më.
Të dielën (sot) drejtuesit e Federatës së Basketbollit të Kosovës do të bëjnë homazhe dhe do të vendosin kurorë me lule te varri i Sinanit.
-
23 qershor 2019 13:10
-
Shpërndaje në: