Sport

Shtimac ka ngjallur ëndrrën e Indisë për botëror

Seleksionuesi i ri i Indisë, Igor Shtimac, ka filluar të fusë besimin te lojtarët e tij se kualifikimi në botëror nuk është vetëm një ëndërr, por një objektiv i vërtetë, ka zbuluar portieri Singh Sandhu.

Ish-mbrojtësi i Kroacisë, Shtimac, muajin e kaluar firmosi kontratë dyvjeçare me Federatën e Indisë pas largimit të anglezit Stephen Constantine, nën drejtimin e të cilit ekipi u eliminua në fazën e grupeve të Kupës së Azisë, shkruan sot Koha Ditore.

India ka 325 herë më shumë njerëz sesa vendlindja e Shtimacit, por ndryshe nga Kroacia që arriti në finalen e botërorit "Rusia 2018", Përfaqësuesja e Indisë asnjëherë nuk ka marrë pjesë në këtë ngjarje dhe aktualisht zë vendin e 101-të në ranglistën e FIFA-s.

"Unë mendoj se ëndrra e tij është që të na bëjë të besojmë se mund të kualifikohemi në botëror, pasi ai beson në ekipin tonë dhe kjo është shumë e rëndësishme. Shtimac dëshiron të krijojë konkurrencë për çdo pozitë në ekip që tashmë edhe e ka", është shprehur Sandhu.

"Trajneri Shtimac ka qenë i mahnitshëm deri tash, pasi e di se çfarë kërkon nga ekipi. Ai beson te ne dhe kjo na obligon neve lojtarëve që të ngremë nivelin e lojës dhe të kemi një kauzë, kualifikimin në botëror".

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)