Sport

Burak drejt Lecces

Skuadra e Lecces që edicionin e ri do të bëjë gara në Serie A, është pranë transferimit të sulmuesit turk Burak Yilmaz. Lajmi është bërë i ditur të hënën nga sajti italian "Tuttomercatoweb".

Për kartonin e tij, Lecce pritet t'i paguajë Beshiktashit dëmshpërblim prej dy milionë eurosh kurse Burakut do t'i ofrojë kontratë dyvjeçare. Zyrtarizimi i 33-vjeçarit te Lecce pritet të bëhet gjatë kësaj jave, pasi është raportuar se palët janë pranë finalizimit të marrëveshjes.

Burak edicionin e fundit ka shënuar 16 gola në 22 ndeshje kampionale të Turqisë dhe me Beshiktashin ka kontratë deri në vitin 2020, me mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër. Ai karrierë ka bërë edhe te Trabzonspori, Sinobo Guoan, Galatasaray, Fenerbahçe, Eskisehirspori, Manisaspori e Antalyaspori.