Sport

Challandes: Në Sofje ishte sikur të luanim në shtëpi

Përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes, ka lavdëruar ekipin e tij për fitoren 2 me 3 ndaj Bullgarisë në sekondat e fundit në ndeshjen eliminatore për “Euro 2020”.

Ai ka thënë se lojtarët me sulmet e pareshtura më në fund u shpërblyen dhe ka thënë se kjo fitore erdhi pas dy barazimeve të pamerituara ndaj Bullgarisë në Prishtinë e Malit të Zi.

“Është fitorja e parë në kualifikime. Jam i lumtur për fitoren. Ekipi meritoi fitoren. Ishim të zhgënjyer në ndeshjen e parë në Prishtinë. Ishim të zhgënjyer edhe në Mal të Zi, por tani jemi shpërblyer për punën, dhe mentalitetin sulmues. Në kohën sa ishim 2 me 2, nuk mund ta kontrolloja ekipin. Shkonin vazhdimisht përpara dhe në fund morën shpërblimin e merituar. Jam shumë i lumtur për lojtarët. Kanë bërë lojë shumë të mirë”, ka thënë Challandes.

Ai ka thënë se është i mahnitur me kombëtaren duke marrë parasysh moshën mesatare tejet të re. Ka thënë se kjo është shenjë shumë e mirë për të ardhmen e Kosovës.

Për përkrahjen e tifozëve ka thënë se ishte tejet e rëndësishme. Sipas tij, Kosova në Sofje luajti sikur të ishte në shtëpi.

“Sot nuk luajtëm si mysafirë. Në Prishtinë normalisht është tjetër ndjenjë, por pati shumë edhe këtu”, ka thënë ai.

Në fund Challandes ka treguar se u ka thënë lojtarëve që “ju nuk jeni lojtarë të zakonshëm sikur të tjerët”.

“U kam folur për historinë e Kosovës që ka vuajtur shumë vjet. U kam thënë lojtarëve se ju nuk mund të jeni lojtarë si të tjerët duke marrë parasysh vuajtjet e prindërve dhe gjeneratave të shkuara në Kosovë. Ata sot ishin të mrekullueshëm. Luajtën qartë për Kosovë”, është shprehur Challandes.

Challandes ka theksuar se Kosova ndaj Bullgarisë luajti pa “Ronaldon” e vet, Arbër Zenelin.