Sport

Zbulohet pllaka përkujtimore e Fadil Vokrrit

Presidenti i FFK-së, Agim Ademi në shoqëri të anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, sekretarit të përgjithshëm, Eroll Salihu, administratës së FFK-së, ish-futbollistëve të njohur, gjyqtarëve e trajnerëve si dhe grupit të tifozëve “Dardanët”, sot, në njëvjetorin e ndarjes nga jeta të ish-presidentit Fadil Vokrri, e kanë zbuluar pllakën përkujtimore tek varri i Legjendës dhe kanë bërë homazhe.

Me këtë rast presidenti Ademi është shprehur se Vokrri ishte kreator i rrugës drejt UEFA-s dhe FIFA-s.

“Sot një vit mbetëm pa një futbollist e mik të pazëvendësueshëm. Ne në FFK mbetëm pa prijësin tonë, i cili ishte kreator i rrugës drejt UEFA-s e FIFA-s dhe do të mbetet në histori si njeriu që e dërgoi Kosovën atje ku janë të gjitha shtetet, si pjesë e barabartë e familjes evropiane dhe botërore të futbollit modern. Shumë shokë e dashamirë të tij cilët e patën shok të tavolinës e ndjesë e ndjejnë mungesën e tij”, ka thënë ai.

Ademi ka shtuar se, FFK-ja po e ndjek rrugën e Vokrrit duke e dërguar futbollin e Kosovës në një stad tjetër, duke arritur rezultate kulmore.

“Në këtë përvjetor jemi mbledhur për të bërë homazhe dhe për ta zbuluar pllakën përkujtimore tek varri i tij, që është bërë nga Federata e Futbollit e Kosovës dhe për të evokuar kujtimet për Legjendën. Ne i jemi përherë mirënjohës atij, por edhe të gjithë atyre që sot nuk janë në mesin tonë e që kanë kontribuuar ndër vite të vijmë deri në këtë ditë, sepse futbolli është sport kolektiv dhe gjithmonë ka nevojë të funksionojë si ekip. Kështu kemi punuar edhe në kohën e Fadil Vokrrit, i cili si kapiten na ka prirë në rrugën e suksesit si Federatë. Edhe tani me ekip të përbashkët po e çojmë FFK-në dhe futbollin e Kosovës në një stad tjetër, duke arritur rezultate kulmore. Dhimbjen që e kemi përjetuar me humbjen e presidentit Vokrri tani e kemi shndërruar në përgjegjësi dhe krenari për suksese tjera. I qoftë i lehtë dheu i Kosovës, legjendës Fadil Vokrri”, ka thënë ai.

{gallery}