Sport

Anglia i frikësohet sjelljes së tifozëve të vet në ndeshjet me Kosovën dhe Çekinë

Kreu për siguri në Federatën e Anglisë, Tony Conniford ka thënë se është i shqetësuar për dy ndeshjet kualifikuese të kombëtares angleze në Kosovë dhe në Pragë, pas skenave të dhunshme që ndodhën ndërmjet tifozëve këtë javë.

Trajneri i kombëtares së Anglisë, Gareth Southgate dhe Shoqata e Futbollit i kanë quajtur veprimet e fansave anglezë, që shkaktuan përleshje në Porto gjatë Ligës së Kombeve të mërkurën, si të “turpshme”, raporton The Telegraph.

Anglia udhëton të premten, më 11 tetor në Pragë për t’u përballur me Çekinë, dhe në nëntor udhëton për në Prishtinë për t’u përballur për herë të parë me Kosovën.

Conniford thotë se Praga është e njohur për mirëseardhjen e telasheve, përkundër që viteve të fundit ka provuar ta ndryshojë këtë, por vazhdon të jetë shqetësuese për të, transmeton Koha.net.

Aktivisti anti-islamik, Tommy Robinson ishte xhiruar duke e grushtuar një fans të Anglisë jashtë stadiumit, aty ku Anglia humbi në gjysmëfinale nga Holanda.

“Jam ekstremisht i brengosur që i kemi ato grupe tifozësh që i kam parë në rrjetet sociale dhe imazhet e portretizuara në të gjithë botën e që asocohen me ekipin kombëtar”, u shpreh Conniford.

Ai ka shtuar tutje se, “kjo shkakton telashe kur shkojmë në një vend. Për shembull ne po shkojmë në Kosovë. Anglia nuk luajtur ndonjëherë në Kosovë. Kam qenë në vende ku policët informohen përmes pamjeve të tilla të tifozëve. E kjo ngjall menjëherë kundërpërgjigjen. Pra, ata përballen me policinë dhe qentë e tyre, madje edhe para se të zbresin nga avioni”.

Sipas tij një gjë të tillë e kishin hequr qafe, që njerëzit të mirëpriteshin, por tani sërish është i shqetësuar.

“Po, jam i shqetësuar për ato grupe që po e shkatërrojnë atë që kemi arritur. A di ndonjë zgjidhje? Jo momentalisht dhe do ju gënjeja nëse do thosha se kam”, u shpreh Conniford.