Sport

Gjithçka që ndodhi në përballjen Trepça ’89 – Gjilani

Trepça ’89 e ka deklasuar Gjilanin, duke e mposhtur me rezultat të thellë 5:2 dhe kështu, mitrovicasit janë afër titullit të kampionit si asnjëherë më parë në histori të klubit.

“Xehetarët”, kanë qenë më të mirë se gjilanasit në çdo aspekt të lojë dhe në fund me meritë kanë arkëtuar pikë të plota, përballë një Gjilani që nuk tregoi as për së afërmi atë që jemi mësuar të shohim, raporton KTV.

Se kishin hyrë për fitore, vendasit e treguan qysh në minutën e parë të ndeshjes, ku kaluan në epërsi me golin e Florent Hasanit, i cili u shërbye bukur nga Shpëtim Idrizi.

I njëjti futbollist, shënoi edhe golin e dytë në minutën e 11-të, pas asistimit që mori nga Fiton Hajdari.

89-shi shumë lehtë ka mundur të shënoi edhe golin e tretë, por goditja e Fiton Hajdarit në minutën e 20-të, përfundoi në shtyllë.

Krejt çka arriti të bëjë Gjilani në pjesën e parë, ishte një gol i shënuar nga penalltia.

Gzim Rusi u pengua në zonë nga Ylber Maloku dhe përgjegjësinë e mori Isa Eminhaziri, i cili shënoi një gol që rrallë shihet në futbollin e Kosovës.

Por, vendasit nuk u kënaqën me epërsi minimale dhe një minutë para fundit të pjesës së parë e realizuan edhe golin e tretë me qendërmbrojtësin, Lapidar Lladrovci, për të cilin ishte goli i parë në fanellën e skuadrës nga Mitrovica.

Në 45 minutat e dytë, u panë edhe tre gola të tjerë, tre nga vendasit dhe një nga mysafirët.

Në minutën e 50-të, “minatorët shënuan edhe golin e katër me Oto John, i cili e paraboloi portierin Kaçiu, ndërkaq, mbrojtësi i Gjilanit Leutrim Bekteshi, u mundua të shpëtoi skuadrën e tij, por pa sukses.

Për nigerianin ishte golin i 22-të në këtë kampionat.

30 minuta para fundit të ndeshjes, Ilir Izmaku i vendasve u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë dhe u përjashtua nga ndeshja.

Por, kjo nuk i ndali mitrovicasit, të cilën shënuan edhe golin e pestë në minutën e 72-të me mbrojtësin e krahut të djathtë, Përparim Islami.

Në 15 minutat e fundit, edhe Gjilani mbeti me një lojtarë më pak, pasi u ndëshkua Isa Eminhaziri pas dy kartonëve të verdhë që mori brenda një 60 sekondave.

Deri në fund, Gjilani shënoi edhe një gol për të ngushtuar epërsinë në 5:2, gol që u shënua në minutën e 77-të nga Egzon Shabani dhe ishte i fundit në këtë përballje.

Përfundimisht, Trepça ’89-Gjilani 5:2.

Për KTV-në pas takimit u deklaruan rreth kësaj ndeshje mesfushori i Trepçës ’89, Florent Hasani, si dhe sulmuesi i Gjilanit, Isa Eminhaziri.

Pas ndeshjes, u krijua një tollovi gjatë hyrjes së futbollistëve në zhveshtore, por reaguan shpejt zyrtarët e të dyja klubeve dhe Policia e Kosovës, për ta qetësuar situatën.

Në javën e 30-të, Trepça ’89 është mysafire e Besës në Pejë, ndërkaq Gjilani e pret Drenicën.