Sport

Kosova grumbullohet me shpresë për të marrë maksimumin

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll të dielën ka nisur zyrtarisht përgatitjet për dy ndeshjet e rëndësishme që i luan këtë muaj në kuadër të eliminatoreve për "Euro 2020". Në fushën e stadiumit "Fadil Vokrri", në pasditen me shi të së dielës, kanë stërvitur shumica e lojtarëve, në të cilët përzgjedhësi Bernard Challandes llogarit për ndeshjet me Malin e Zi dhe Bullgarinë. Lojtarët janë shfaqur të buzëqeshur e të disponuar, njëjtë si përzgjedhësi Challandes dhe ndihmësit e tij. Rreth 50 shikues kanë përcjellë stërvitjen që është zhvilluar në shtëpinë e përfaqësueses.

Kosova synon suksesin në dy ndeshjet e këtij muaji, ndërsa synim final është kualifikimi në "Euro 2020".

Në të vërtetë, pesë lojtarë të përfaqësueses kanë nisur stërvitjen që nga e marta e kaluar. Bëhet fjalë për lojtarë që kanë përfunduar më herët kampionatin dhe që për të mbajtur formën kanë zhvilluar stërvitje me trajnerin kondicional të përfaqësueses. Edhe Challandes ka ardhur shumë më herët se zakonisht, ndërsa tekniku zviceran të dielën në ditën e parë të grumbullimit zyrtar nuk kishte në dispozicion tërë grupin, shkruan sot Koha Ditore.

Kanë munguar shtatë lojtarë që pritet të vijnë ditëve në vijim. Challandes për ndeshjet me Malin e Zi dhe Bullgarinë nuk mund të llogarisë në tre mesfushorët kryesorë, Hekuran Kryeziun, Valon Berishën e Herolind Shalën, që janë të lënduar. Të tjerë lojtarë rrezikojnë të mungojnë për shkak të lëndimeve.

Plot shtatë lojtarë kanë munguar në stërvitjen e parë, disa prej të cilëve kishin ndeshje të dielën. Arbër Zeneli, Fidan Aliti, Anel Rashkaj, Benjamin Kololli, Samir Ujkani, Leart Paqarada e Ibrahim Dresheviq nuk ishin nën urdhrat e Challandesit të dielën. Ndërkohë Amir Rrahmani ka stërvitur i diferencuar pasi nuk është në gjendjen më të mirë fizike.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)