Sport

City: Guardiola nuk shkon te Juventusi

Foto: Getty Images

Manchester City ka mohuar raportimet se trajneri Pep Guardiola do t’i bashkohet Juventusit këtë verë.

Një nga agjencitë kryesore të lajmeve në Itali raportoi të enjten se Juve do të zyrtarizojë Guardiolan si trajner të ri më 4 qershor, por anëtari i bordit te City, Alberto Galassi, i ka quajtur plotësisht të pavërteta raportimet.

“Si një anëtar bordi i Cityt, isha i befasuar të lexoja këto të pavërteta. Ai është trajneri jonë, dëshiron të rrijë me neve. Nuk e kupton as ai se si fjalët e tij s’po dëgjohen. Gjithçka është e pavërtetë”, ka thënë ai për SkySports Italia.

“Gjëja e parë që një klub serioz bën në këso raste është të kontaktojë klubin tjetër. Është e pamendueshme që City nuk është në dijeni për prezantimin e tij në kaq pak ditë. Raportimi është i pabazë. Nuk e kuptojmë përse një klub duhet të intervenojë për të satën herë për të thënë që Guardiola nuk e do largimin nga Manchester City. Kjo pyetje nuk ekziston”, ka deklaruar më tej ai.

Në fund ai ka thënë se i vjen keq për tifozët e Juves, “por duhet të gjeni një trajner tjetër”.