Sport

Januzaj ftohet nga Belgjika

Mesfushori kosovar Adnan Januzaj vazhdon të ketë besimin e plotë të përzgjedhësit të Belgjikës, Roberto Martinez.

Januzaj është ftuar në përfaqësuese për dy ndeshjet e muajit qershor. Belgjika më 8 qershor luan me Kazakistanin, ndërsa më 11 qershor me Skocinë, në eliminatoret për "Euro 2020", transmeton Koha Ditore.

Januzaj i ka 11 ndeshje e një gol për Belgjikën. Së fundi ka luajtur ndaj Qipros më 24 mars, që ishte edhe ndeshja e fundit e Belgjikës. Januzaj fitoi medaljen e bronztë me Belgjikën në botërorin e vitit të kaluar, ndërsa ishte edhe në botërorin e vitit 2014.

24-vjeçari këtë edicion ka shënuar një gol dhe ka asistuar tre në 20 paraqitje në La Liga për skuadrën Real Sociedad. Ai së fundi ka lënë të kuptohet që do të luajë për Sociedadin edhe edicionin e ardhshëm.