Sport

50-golëshi i gjashtë i Messit në karrierë

Descriptive Text

Lionel Messi mbylli stinorin 2018-19 në La Liga me një dygolësh tjetër, ndërsa Barcelona barazoi 2:2 të dielën me Eibarin.

Ndonëse e ka siguruar titullin e Spanjës kohë më parë, këta dy gola patën rëndësi për Messin.

Ai e ka arritur shifrën e 50 golave këtë stinor.

Kjo është hera e gjashtë që shënoi 50 e më tepër gola në një edicion.

E ka barazuar me rivalin e tij të përbetuar Cristiano Ronaldon, që po ashtu kishte kaluar shifrën e 50 golave në gjashtë raste sa ishte te Real Madridi.

Messi ka epërsinë sa i përket serisë më të mirë brenda një stinori. Ai kishte shënuar 73 gola në stinorin 2011-12, ndërsa rekordi i Ronaldos brenda një stinori ishte 61 gola (2014-15).

Messi ka arritur pesëdhjetëgolëshin për herë të parë në stinorin 2010-11, ndërsa e ka përsëritur këtë performancë edhe më 2011-12, 2012-13, 2014-15, 2016-17 dhe në edicionin 2018-19.

Ndërkohë Ronaldo e kishte kaluar shifrën e 50 golave në gjashtë stinorë rresht nga edicioni 2010-11 deri tek ai 2015-16.

Messi këtë stinor ka fituar edhe trofeun e golashënuesit më të mirë në Evropë, ndërsa ka shënuar 36 gola në La Liga. Superylli i Barçës ka shënuar edhe 12 gola në Ligën e Kampionëve dhe dy në Kupën e Spanjës. Në La Liga, Messi ka edhe 15 asistime, ndërsa ka edhe tri asistime në Ligën e Kampionëve, tri në Kupën e Spanjës dhe një në Superkupën e Spanjës.