Sport

Me Esmën, Istogu po marshon sigurt drejt titullit

Descriptive Text

Pasi ka fituar Kupën e Kosovës për herë të dytë rresht, Istogu do të luajë për herë të parë në finale të plejofit në Superligën e Kosovës në hendboll (femrat). Istogun, klubin që ende nuk ka palestër të tij, në fazën përfundimtare të kampionatit po e ndihmon lojtarja nga Mali i Zi, Esma Muratoviq.

Me Muratoviqin dhe me reprezentueset e Kosovës që i ka në përbërje, Istogu pa shumë telashe ka fituar Kupën e Kosovës, duke mposhtur Shqiponjën në gjysmëfinale dhe Vushtrrinë në finale, shkruan sot “Koha Ditore”. Istogu edhe vjet fitoi Kupën, që ishte trofeu i parë për këtë skuadër, ndërsa sivjet po e synon edhe titullin e kampionit.

Muratoviq ka rreth dy muaj që po luan për Istogun dhe është prej lojtareve më të dalluara të kësaj skuadre. Shquhet për efikasitet, ndërsa përvoja në Kosovë po e befason për të mirë. Ajo në pjesën e parë të kampionatit luajti për skuadrën izraelite Maccabi Arazim Ramat gan.

Më herët ka luajtur në Turqi për skuadra si Kastamonu Belediyesi e Ardesen, ndërsa karrierë ka bërë edhe te Madeira në Portugali dhe te Danilovgradi në Mal të Zi. Hendbollin e ka mësuar te Buduqnosti i Podgoricës, skuadër kjo elitare evropiane. Buduqnosti jep shumicën e lojtareve për Malin e Zi, që po ashtu ka shumë suksese. Pasi nuk ka mundur të stabilizohet te Buduqnosti, Muratoviq ka bërë karrierë në vende të tjera.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)