Kosova, në finale të “Red Bull Paper Wings” Foto: Koha

Kosova, në finale të “Red Bull Paper Wings”

Tahir Sopi Tahir Sopi 17 May 2019 23:28

Garuesi nga Kosova, Ajet Basholli është kualifikuar në finale të kampionatit me aeroplanë prej letre “Red Bull Paper Wings”, që po mbahet në Salzburg të Austrisë. Basholli ka arritur të futet në mesin e dhjetë më të mirëve gjatë kualifikimeve që janë mbajtur të premten në “Hangar 7”, në kategorinë “fluturim në distancë”.

Aeroplani prej letre i Bashollit ka fluturuar hiç më pak se 40.05 metra, duke bërë kështu që ai të dalë i shtati në renditjen e përgjithshme në fund të kualifikimeve. Si për Bashollin, ashtu edhe për Kosovën që po merr pjesë për herën e katërt në kampionat, kjo është hera e parë që kanë prekur finalen.

Pas përfundimit të kualifikimeve, Basholli ishte i papërmbajtshëm, duke festuar së bashku me përfaqësuesit tjerë nga Kosova.

“Ka kohë që jam përgatitur dhe jam shumë i lumtur që ia dola të futem në finale. Edhe pse isha i bindur se do të jem në mesin e finalistëve, ende nuk po mund të besoj që ia dola mbanë. Pas këtij kualifikimi, kam fituar besim edhe më të madh dhe pres që në finale të përfundoj në njërën prej tri pozitave të para”, është shprehur Basholli për Koha.net.

Në disiplinën e Bashollit, garuesit kanë nga një letër të formatit A4, me të cilën duhet ta ndërtojnë aeroplanin e tyre. Ata nuk guxojnë të përdorin asnjë shtesë apo ta presin letrën. Thjeshtë me letrën e formatit A4 duhet të përdorin imagjinatën dhe të ndërtojnë aeroplanin për të cilin mendojnë se mund të fluturojë sa më gjatë që është e mundur.

Image

Për Bashollin kjo është hera e tretë që po paraqitet në këtë disiplinë të garave me aeroplanë prej letre kurse finalja do të mbahet të dielën, në të cilën do të paraqiten dhjetë garuesit më të mirë të fazës gjysmëfinale. Në të vërtetë, kjo garë organizohet nën ombrellën e kompanisë së njohur të pijeve energjike “Red Bull” dhe për kah pjesëmarrja është më masovikja prej të gjitha garave tjera që i organizon kompania austriake.

Në finalen e “Red Bull Paper Wings” po marrin pjesë 168 garues prej 58 shteteve të ndryshme botërore. Vetëm në kualifikimet që janë mbajtur në të gjitha shtetet, përfshirë këtu edhe Prishtinën, kanë marrë pjesë 52 mijë garues, por që nuk kanë arritur të sigurojnë paraqitjen në finale.

Krahas Bashollit, Kosovën në këtë garë po e përfaqësojnë edhe dy garues tjerë, Albion Ukaj dhe Premton Bajraktari. Ukaj do të paraqitet në disiplinën e “akrobacionit” derisa Bajraktari në atë të “qëndrimit në ajër”. Të dyja këto disiplina janë në program të shtunën.

Ceremonia hapëse e këtij kampionati është mbajtur të enjten mbrëma, ku janë prezantuar të gjitha shtetet me veshje kombëtare. Kosova në këtë kampionat po paraqitet për herën e katërt, pasi ka qenë pjesëmarrëse edhe në vitin 2009, 2012 dhe 2015. Këtë garë e mban “Red Bulli” prej vitit 2006.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme