Sport

Statistikat prapa sezonit të paharrueshëm të Premier Ligës

Foto: Reuters

Manchester City ka fituar të dielën titullin e kampionit në Premier Ligës, duke arritur të kompletonte atë që i duhej, 14 fitore rresht në fund të sezonit.

Skuadra e Pep Guardiolas fitoi titullin me 98 pikë, vetëm një më shumë se Liverpooli që hyri në histori si nënkampioni më i suksesshëm.

BBC ka renditur statistikat kryesore që do ta bëjnë sezonin 2018-19 të Premier Ligës të paharrueshëm:

Dyshja më e mirë ndonjëherë:

Me 195 pikë bashkë, City e Liverpooli u bënë dyshja më e mirë e ekipeve në një sezon të vetëm në Premier Ligë duke lënë prapa sezonin e shkuar, kur City e Unitedi në dy pozitat e para bashkë kishin 181 pikë. 179 pikë kishin Chelsea e Tottenhami në sezonin 2016-17.

Forma e ekipeve në gjysmën e dytë të sezonit

City: 18 fitore e një humbje

Liverpooli: 14 fitore, katër barazime e një humbje

Dy ekipet kanë rekordin për më së shumti fitore bashkë, 62 sosh.

City e Liverpooli kanë thyer edhe për rekordin me më së paku humbje bashkë – pesë. Dyshja Chelsea – Arsenal më 2004-05 dhe United – Liverpool më 2008-09 kishin gjashtë humbje bashkë.

Gara më e fortë ndonjëherë?

Përgjatë gjithë sezonit, ekipet ishin shumë afër njëra tjetrës me liderin që ndryshonte shpesh.

Deri kur u fitua titulli, lideri u ndërrua 32 herë.

Rekordi i shkuar ishte në sezonin 2001-02 kur gjatë sezonit u ndërrua 28 herë lideri e Arsenali në fund u shpall kampion.

Liverpooli ka kaluar 141 ditë në krye të tabelës, 16 më shumë se City. Chelsea ishte lider për nëntë ditë, e Unitedi për një.

Hera e fundit kur Liverpooli kaloi më shumë ditë në krye të tabelës ishte në sezonin 1990-91 (163 ditë) kur po ashtu doli i dyti.

City i pamëshirshëm

City s’ka arritur të thyejë rekordin e sezonit të shkuar me 100 pikë të tubuara, por ka arritur të kalojë shumë rekorde të tjera, transmeton Koha.net.

Vetëm pesë ekipe që kanë fituar titullin kanë arritur më shumë se 30 fitore në një sezon, përfshirë ato të kohës kur sezoni kishte 42 ndeshje. City sezonin e shkuar arriti të fitonte 32 ndeshje e të njëjtën gjë e bëri edhe sivjet.

Madje “Qytetarët” janë të parët në histori që fitojnë 30 ndeshje në tri sezone të ndryshme.

City po ashtu ka shënuar më së shumti gola se çdo ekip tjetër anglez. Ky klub arriti të realizojë 163 gola në të gjitha garat, duke mposhtur rekordin e shkuar nga sezoni 2013-14 me 156 gola.

Liverpooli, nënkampioni historik

“Të Kuqtë” kanë marrë 97 pikë, por sërish nuk u shpallën kampionë. Rekordin e shkuar për më së shumti pikë si nënkampion në Angli kishte Leedsi me 91 pikë në sezonin 1970-71.

Pos dy sezoneve të fundit, 97 pikë do t’i mjaftonin Liverpoolit për të fituar çdo sezon në histori të Premier Ligës.

Janë vetëm dhjetë ekipe në epokën e Premier Ligës që kanë arritur të marrin më shumë se 90 pikë.

Nga 18 titujt, Liverpooli vetëm njëherë ka arritur të fitonte titullin me më shumë pikë se sivjet. Këtë do ta bënte në sezonin 1978-79 sikur të ishin tri pikë për një fitore. Kjo madje në sezonin kur ishin 42 ndeshje.

Liverpooli po ashtu u bë nënkampioni më i suksesshëm në histori të top pesë ligave në Evropë duke kaluar Realin me 96 në sezonin 2009-10. Kampion atë sezon? Barcelona e Pep Guardiolas.

Golashënuesit

Te City, Sergio Aguero me 21 gola u bë futbollisti i dytë që realizoi më shumë se 20 gola në gjashtë sezone të ndryshme në Premier Ligë. Alan Sheareri arriti ta bënte shtatë herë. Aguero po ashtu u bë i dyti që shënoi më shumë se 20 gola në pesë sezone rresht, duke barazuar legjendën e Arsenalit Thierry Henry.

Dyshja e Liverpoolit, Mohamed Salah e Sadio Mane po ashtu shënuan më shumë se 20 gola. Kjo është vetëm hera e katërt që dy lojtarë të një ekipi në Premier Ligë arrijnë këtë shifër.

Ata ndanë Këpucën e Artë me Pierre-Emerick Aubameyangun e Arsenalit me nga 22 gola.