Sport

Ekipet angleze shkruajnë historinë në garat evropiane

Skuadrat nga Premier League kanë bërë historinë në garat evropiane, pasi kanë siguruar katër vendet në finalet e dy garave të mëdha të kontinentit.

Arsenali e mposhti Valencian, kurse Chelsea, Eintracht Frankfurtin të enjten mbrëma, për t'u kualifikuar në finalen e Ligës së Evropës, shkruan BBC, transmeton “Koha Ditore”. Ky sukses erdhi pas fitoreve dramatike të dy ekipeve të tjera angleze, Liverpoolit dhe Tottenhamit në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.

Liverpooli eliminoi Barcelonën, kurse Tottenhami Ajaxin për të siguruar finalen e garës kryesore në Evropë. Kjo është hera e parë që të gjithë finalistët në të dy garat dhe të vetmet në Evropë për klube vijnë nga i njëjti shtet.

Vetëm në dy raste më herët ka ndodhur që njëra prej finaleve të garave të Evropës të ketë dy finalistë nga Anglia. Në edicionin 1971/72, Tottenhami pati mposhtur Wolverhamptonin për të fituar në UEFA Cup. Ndërsa në edicionin 2007/08 Manchester Unitedi pati triumfuar ndaj Chelseat në finalen e Ligës së Kampionëve.

“Mund të them se në Angli niveli i lojës është shumë i lartë, kurse Premier League është kampionati më i mirë në Evropë. Dëshmia më e mirë për këtë është se katër ekipe të këtij kampionati do të përballen në finalet e garave të Evropës”, ka thënë trajneri i Chelseat, italiani Maurizio Sarri.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)