Sport

Prishtina, mes tensionesh e me përjashtim të kapitenit nga loja, e fiton titullin e 14-të në Rahovec

Ndeshja që nisi si një spektakël i madh, përfundoi pa asnjë tifoz në sallë.

Përballja e katërt e serisë finale të plejofit ndërmjet Rahovecit e Z Mobile Prishtinës, e zhvilluar në palestrën e qytetit të Rahovecit “Mizahir Isma”, përfundoi me fitoren e kryeqytetasve, duke siguruar kështu titullin e 13 nga paslufta (të 14-tin nga viti 1991).

Çereku i parë i ndeshjes u takoi “Vreshtarëve”, duke siguruar epërsi të lehtë prej 4 pikësh ndaj Prishtinës (22:18), por “Plisat” u rikthyen në çerekun e dytë duke e përfunduar pjesën e parë me një epërsi prej 13 pikësh (32:45).

Pjesa e dytë nisi sërish me lojë më të mirë të prishtinasve, por që u përshkua me tensione të larta.

Derisa po shkonte drejt përfundimit çereku i tretë i ndeshjes (29’), pati një përplasje mes lojtarëve të Rahovecit e të Prishtinës, ku i përfshirë ishte kapiteni prishtinas, Edo Azemi.

Ai shkaktoi një faul ndaj Deshon Minnisit të Rahovecit, e ky i fundit e goditi atë me top, ndërsa pas këtij incidenti, në palestër u futën edhe disa tifozë rahovecianë që tentuan të sulmojnë mysafirët.

U desh ndërhyrja e zyrtarëve të sigurimit për të qetësuar situatën, ndërsa zyrtarët e ndeshjes i dërguan lojtarët mysafirë në zhveshtore deri në marrjen e vendimit. Vendimi u mor dhe palestra u desh të zbrazet pasi u rrezikua siguria e lojtarëve në parket.

Pas një periudhe prej rreth 30 minutash kur edhe tifozët lëshuan sallën, lojtarët u rikthyen në parket, ndërsa zyrtarët e ndeshjes përjashtuan tre lojtarë. Dy të Rahovecit, numri 10 dhe 5, si dhe kapiteni Edo Azemi i Prishtinës.

Çereku i tretë përfundoi me rezultat 53 me 74 në favor të Prishtinës.

Kur nisi çereku i fundit i ndeshjes, rahovecianët u dukën të pafuqishëm krejtësisht që të bënin diçka e të shpresonin në ndonjë mrekulli të rikthimit të rezultatit.

Rezultati përfundimtar i ndeshjes ishte 75 me 104 për Prishtinën.

Ky është titulli i 14-të i Prishtinës që nga viti 1991, kur e fitoi titullin e parë. Pastaj vazhdoi më 2002, 2003, 2004, 2006, 2007, 2008, 2009, 2011, 2014, 2015, 2016, 2017 dhe sivjet, 2019.