Sport

Eriksen: Lucas Moura meriton të ketë një statujë në Angli

Foto: Reuters

Mesfushori i Tottenhamit, Christian Eriksen është ndarë shumë i kënaqur me rikthimin sensacional të ekipit të tij ndaj Ajaxit dhe e gjithë kjo falë paraqitjes së jashtëzakonshme nga Lucas Moura, që sipas tij e meriton një statujë në Angli.

Tottenhami siguroi kualifikimin në finale të Ligës së Kampionëve falë tre golëshit nga Moura, në fitoren prej 2 me 3 në Amsterdam, transmeton Koha.net.

“Ishte një ndeshje e çmendur, vërtet ishim shumë poshtë dhe provuam të luftojmë, ishim me fat. Më vjen keq për Ajaxin, luajtën shumë mirë kundër nesh, por ne kemi luftuar dhe është ëndërr që të shkojmë në finale”, është shprehur Eriksen.

Tutje ai ka lavdëruar bashkëlojtarin e tij Lucas Moura.

“Sot nuk ishte asgjë taktike, por ishte luftë dhe performancë me zemër. Ne kishim zemër dhe Lucas Mouran, ai e meriton këtë, shpresoj që t’i ndërtohet një statujë në Angli pas kësaj, s’ka fjalë për këtë”, ka thënë Eriksen.