Sport

Godin konfirmon largimin nga Atletico

Diego Godin ka konfirmuar se do të largohet nga Atletico Madridi në fund të sezonit.

Kapiteni i madrilenëve u paraqit në lot në konferencën për media duke njoftuar për largimin pas gati një dekade me Atleticon.

Godin iu bashkua klubit më 2010 dhe ka fituar La Ligën e dy tituj të Ligës së Evropës.

Pas shumë spekulimeve për të ardhmen e tij, ai ka konfirmuar se do të largohet nga Spanja.

“Jam më nervoz se për çdo ndeshje tjetër, është e vërtetë”, ka thënë ai teksa në lot ka shtuar “këto do të jenë ditët e fundit tek Atletico Madrid”.

“Atletico ka qenë familja ime, klubi dhe shtëpia, dhe është e vështirë t’i them lamtumirë. Kam pasur kohë të mrekullueshme dhe dua të falënderohem. Faza më e bukur e karrierës sime dhe e jetës po vjen drejt fundit. Jam krenar që kam qenë pjesë e historisë së klubit. Jam shumë falënderues. Kam refuzuar Manchester Unitedin vitin e shkuar sepse vendosa të rrija këtu. Tani një vit më pas, është koha të largohem”, ka thënë ai në konferencë ku morën pjesë e gjithë skuadra e Atleticos.

I pyetur se ku do të vazhdojë karrierën, ai ka thënë se nuk ka arritur marrëveshje për të qëndruar tek Atletico dhe se do të largohet nga kjo skuadër.

33-vjeçari ka pasur 387 paraqitje për spanjollët.

Image