Sport

Atalanta e Gjimshitit dhe Berishës i afrohet mrekullisë

Atalanta e dyshes shqiptare, Berat Gjimshiti e Etrit Berisha, po i afrohet mrekullisë, kualifikimit në Ligën e Kampionëve. Skuadra nga Bergamo të dielën mbrëma ka fituar 3:1 në udhëtim ndaj Lazios, një skuadre tjetër të përfshirë në duel të drejtpërdrejtë për vendin e katërt.

Gjimshiti luajti tërë ndeshjen, ndërsa pati dorë në golin e tretë, pasi futbollisti brazilian Wallace shënoi autogol në tentim për të larguar topin nga koka e Gjimshitit, pas një goditjeje nga këndi. Atalanta po thyen dominimin e zakonshëm në Top 4 në Itali. Skuadra nga Bergamo pas 35 xhirove ka 62 pikë dhe madje është vetëm një pikë larg Interit që mban vendin e tretë, shkruan sot Koha Ditore.

Marco Parolo (3') kishte dërguar Lazion në epërsi, por Atalanta u kthye pas golave të Duvan Zapatas (22'), Timothy Castagnes (58') dhe autogolit të Wallacet (76'). Te Lazio në portë ishte Thomas Strakosha, ndërsa në stol ishte Riza Durmishi. Po mungon shkaku i lëndimit Valon Berisha.

Në portë të Atalantas një pjesë të stinorit ka qenë Etrit Berisha, por ai ka humbur vendin e titullarit që nga fillimi i marsit. Pa Berishën, Atalanta nuk njeh humbje në Serie A në dhjetë ndeshjet e fundit.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)