Sport

Kukësi i pamposhtur synon përballjen ndaj Celticut të pamposhtur

Versioni skocez i gazetës “The Sun” ka shkruar një artikull për ekipin e Kukësit që është i pamposhtur sivjet në elitën e futbollit të Shqipërisë.

Klubi shqiptar së bashku me Celticun e Skocisë, Copenhagen e Danimarkës dhe Rijekën e Kroacisë, janë ekipet e pamposhtura në Europë.

“Klubi rural shqiptar me një mesatare prej 2 mijë tifozësh për ndeshje, është në krye të ligës dhe synon titullin e parë në histori”, shkruan The Sun.

Presidenti i Kukësit, Safet Gjici, ka thënë për gazetën britanike se synon të takohet me Celticun në Europë. Të dy këto ekipe të pamposhtura ka gjasë të takohen në raundin e dytë të fazës kualifikuese për Ligën e Kampionëve, transmeton Koha.net.

“Të gjithë e njohim Celticun shkaku i lojtarit shqiptar Rudi Vata, i cili luajti për ta në vitet ’90-të”, ka thënë Gjici.

“Ishte lojtari i parë që luajti jashtë Shqipërisë dhe të gjithë e njohin Celticun shkaku i tij”, ka shtuar ai.

“Për klubin tonë do të ishte kënaqësi e madhe dhe nder që të përballemi me Celticun në Ligën e Kampionëve – nëse arrijmë atje”.

“Nuk e dija se edhe Celticu është i pamposhtur në ligë dhe është mirë kur keni të përbashkëta me ekipe si ata”.

Ish-lojtari i Celticut, Vata, ka thënë se forma e mirë e klubit nga qyteti i vogël i Kukësit nga veriu i Shqipërisë është veçse një mrekulli.

“Prejse kanë hyrë në ligë para pesë sezoneve ata rregullisht janë në vendin e dytë dhe tretë, por sivjet forma e tyre është e jashtëzakonshme”, ka thënë Vata.

“Do të ishte mirë për Kukësin nëse përballen me Celticun, edhe pse pres që Celticu të jetë ekip i fort për ata”.