Sport

“Finalja” e Kupës në hendboll zhvillohet në gjysmëfinalen Kastrioti - Besa

KH Kastrioti

Finale para finales, është vlerësuar të jetë ndeshja gjysmëfinale e Kupës së Kosovës në hendboll, ndërmjet Besës dhe Kastriotit.

Ndeshja gjysmëfinale e “Final 4” të Kupës, ndërmjet dy pretendentëve për titull të kampionit këtë edicion, do të zhvillohet të shtunën nga ora 19:00 në Pallatin e Sporteve në Prishtinë.

Skuadra pejane synon ta fitojë kupën e gjashtë rresht dhe të 11-ën që nga paslufta, kurse Kastrioti trofeun e pestë. Për herë të fundit, ferizajasit e kishin fituar dhjetë vjet më parë, raporton KTV.

Kastrioti e ka mposhtur vetëm një herë gjatë këtij edicioni në Superligë, kurse tri fitore u kanë takuar pejanëve.

Gjysmëfinalja tjetër, që do të luhet po ashtu të shtunën nga ora 13:00, do të jetë ajo ndërmjet dy rivalëve të vjetër Trepçës dhe Prishtinës.

Të shtunën, do të luhen edhe dy ndeshjet gjysmëfinale të Kupës në konkurrencën e femrave.

Skuadra fituese në fuqi e Kupës, Istogu, përballë do ta ketë kampionen e Superligës, Shqiponjën, ndeshje kjo që do të zhvillohet nga ora 15:00, kurse Vushtrria ndaj Prishtinës luan nga ora 17:00.

Ndeshjet finale në të dy konkurrencat do të zhvillohen të dielën. Femrat luajnë finalen nga ora 16:30, ndërsa meshkujt nga ora 19:15.