Sport

Kabashi, i fundit që i kthehet vendit të origjinës pas dështimit

Kur vlerësohej lojtar me të ardhme në Itali, Elvis Kabashi kishte nisur një letër të pazakontë në adresë të Federatës Shqiptare të Futbollit. Kishte kërkuar që FSHF-ja të mos i dërgonte më ftesë që të luajë për Kombëtaren. FSHF-ja disa herë kishte lutur Kabashin që të vishej kuq e zi, por ai kishte refuzuar.

Karriera e Kabashit nuk është zhvilluar ashtu si 25-vjeçari dhe njerëzit pranë tij kanë shpresuar. Ish-lojtari i Juventusit tash po paraqitet për Dinamo Bukureshtin në Rumani, pasi dështoi të shpërthejë në nivelin e lartë të futbollit italian, shkruan sot “Koha Ditore”.

Dhe Qasja e tij ka ndryshuar. Ai po kërkon të luajë për Shqipërinë dhe mohon faktin të ketë nisur letër në adresë të FSHF-së. Kabashi në fakt asnjëherë nuk ka qenë në planet e Italisë, të paktën kjo nuk është bërë e ditur publikisht.

Rasti i tij dëshmon më së miri historinë e lojtarëve që kanë shpresuar e pritur që të luajnë për përfaqësuese të forta evropiane dhe që në fund kanë përfunduar te Shqipëria, apo që shpresojnë të përfundojnë te Shqipëria e Kosova. Dhe lista e të tillëve nuk është e shkurtër. Por asnjë rast nuk është ekstrem si ai i Kabashit.

Të gjithë kanë lënë një derë të vogël hapur dhe asnjë nuk ka mbyllur derën plotësisht me letër të dërguar. Dhe Kabashi derën që e ka mbyllur vite më parë po synon ta hapë sërish, duke mohuar se ka dërguar letrën.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)