Monger po i afrohet ëndrrës - Formula 1

Monger po i afrohet ëndrrës - Formula 1

24 April 2019 14:06

Billy Monger ka bërë një hap tjetër drejt realizimit të ëndrrës për të garuar në Formula 1, pasi ka firmosur me serinë EuroFormula Open.

Piloti i ri britanik, që humbi dy këmbët në një aksident të tmerrshëm në vitin 2017 në Donington Park, do të garojë për Carlin Motorsport në një veturë të modifikuar që do të lejojë atë të ndërrojë shpejtësitë në timon dhe të frenojë me gjurin e djathtë.

Seria EuroFormula Open mban gara në tetë shtigje të Formula 1, përfshirë në Paul Ricard, Spa dhe Hockenheim, shkruan sot Koha Ditore.

"Mezi po pres të garoj sërish. EuroFormula Open ofron një sfidë të re emocionale dhe një hap të vërtetë për mua. Veturat janë shumë ndryshe nga ato të British F3, ku kam garuar vitin e kaluar. Duhet të kaloj disa çështje, por jam i sigurt se mund të adaptohem shpejt dhe të jem garues", ka thënë Monger 19-vjeçar.

"Ne kemi ende rrugë për të bërë për të arritur synimet tona të sponsorizimit. Por qëllimi është të garoj një stinor të plotë në seri dhe të arrij në maje të podiumit".

Stinorin e kaluar, Monger bëri kthimin në British F3 Championship, duke përfunduar katër herë në podium dhe duke përfunduar në vend të gjashtë në renditje të përgjithshme.

"Këtë vit dua të fitoj një garë. Të qëndroj në maje të podiumit, të di se kam mposhtur të gjithë në një fushë të barabartë të lojës, pavarësisht se çfarë më ka ndodhur. Mosaftësia fizike nuk është duke më frenuar. Vetëm nga unë do të varet nëse do të arrij në Formula 1 apo jo", ka thënë piloti britanik.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme