Sport

Guardiola e City nuk ia kanë frikën "Old Traffordit"

Dalja e Manchester Cityt si forcë në Premier League nënkupton se më nuk ka frikë të luajë si mysafir në "Old Trafford". Kështu vlerëson trajneri i Cityt, Pep Guardiola.

Manchester City ka humbur vetëm një përballje në ligë në udhëtim ndaj rivalit lokal Manchester United që nga viti 2011 dhe Cityt i duhen të mërkurën mbrëma (21:00) tri pikët në këtë stadium legjendar për të marrë kreun e renditjes në Premier League dhe të bëjë një tjetër hap para drejt mbrojtjes së titullit.

"Old Trafford" për shkak të dominimit të gjatë të Unitedit nën urdhrat e Alex Fergusonit, ishte shndërruar në fer për skuadrat rivale.

Pep Guardiola ka fituar dy ndeshjet në ligë në udhëtim ndaj Unitedit, qëkur ka marrë drejtimin e Cityt tre vjet më parë.

"City është rritur shumë në dekadën e fundit dhe më nuk ia ka frikën të luajë në 'Old Trafford'. Më herët ndoshta ka qenë më e komplikuar. Lojtarët e Manchester Cityt në dekadën e fundit e kanë bërë këtë lojë pak më të barabartë. Në tre stinorë qëkur jam te City, ne jemi paraqitur më mirë se rivali, por këtu bëhet fjalë për titullin dhe jo triumfin ndaj Unitedit. Unë nuk bëj teori se çfarë ka ndodhur në të kaluarën dhe se çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Çdo ndeshje është ndryshe", ka deklaruar Guardiola.

Guardiola po ashtu ndien keqardhje për trajnerin e Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer, pasi skuadra e tij ka pësuar humbjen e gjashtë në tetë ndeshjet e fundit. Si rezultat, norvegjezi është kritikuar për formën e fundit të skuadrës.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)