Yennaris, anglezi i natyralizuar nga Kina apo Li Ke

Yennaris, anglezi i natyralizuar nga Kina apo Li Ke

21 April 2019 13:16

Nico Yennaris ka lindur në Leytonstone, një vend i klasës punëtore që gjendet në lindje të Londrës dhe ka qenë bashkëlojtar me Harry Kanen tek Akademia e Arsenalit, si dhe ka përfaqësuar Anglinë në gjeneratat e reja. 

Përderisa Kane ka vazhduar te Tottenhami dhe është bërë kapiten i Përfaqësueses së Anglisë, karriera e Yennarisit ka pasur një drejtim krejtësisht tjetër. Ai vikendin e shkuar është bërë lojtari i parë i natyralizuar që ka shënuar gol në Superligën e Kinës. Në janar të këtij viti u zhvendos në Pekin, kurse javë më parë është natyralizuar nga Kina dhe tashmë ka një emër të ri, shkruan sot Koha Ditore.

“Kam shënuar golin e parë në historinë e futbollit të Kinës si lojtari i parë i natyralizuar dhe kjo më bën të ndihem krenar”, thotë 25- vjeçari, i cili tashmë njihet me emrin kinez Li Ke. 

Ai më 31 janar të këtij viti u transferua te skuadra Beijing Guoan nga Brentfordi i kategorisë së dytë të Anglisë për pesë milionë euro. Në Superligën e Kinës debutoi më 30 mars në triumfin e ekipit të tij ndaj Beijing Rehne (1:0), ndërsa dy javë më vonë shënoi edhe golin historik. Me golin e tij të parë në paraqitjen e dytë në elitën e futbollit kinez, Beijing Guoan siguroi fitoren përballë ekipit Henen Jianye (2:1). “Ndoshta për mua është e pazakontë të shënoj gola për shkak të rolit në fushë, por kjo nuk do të thotë që nuk dua ta ndihmoj ekipin në çdo ndeshje për fitore”, thotë Yennaris, i cili luan si mesfushor defensiv dhe mbrojtës krahu.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme