Sport

Coutinho i gëzon fansat e Liverpoolit pas lëndimit të mbrëmshëm

Mesfushori i Liverpoolit, Philippe Coutinho, po shpreson se do të kthehet në lojë shumë shpejt pas lëndimit që pësoi gjatë fitores së klubit të tij 1-0 kundër Watfordit të hënën, ka thënë vetë lojtari.

24-vjeçari u largua nga fusha e blertë në 15 minutat e parë të ndeshjes në Vicarage Road dhe u zëvendësua nga Adam Lallana por menaxheri Juergen Klopp tha se braziliani nuk është lënduar rëndë.

“E ka këmbën e mpirë, po shpresojmë se nuk është diçka serioze, por natyrisht se kishte dhembje të mëdha dhe nuk pati shanse të vazhdonte lojën. Të gjithë e panë sa u mundua, por s’pati mundësi”, tha Klopp para reporterëve pas ndeshjes, transmeton Koha.net.

Coutinho më pas postoi një fotografi në Instagram me bashkëlojtarin e tij gjerman, Emre Can, goli spektakolar i së cilit i solli klubit tre pikë të shumë të vlefshme për të mbetur në zonën e Championsit.

“Ju falënderoj të gjithëve për mbështetje. Nuk është serioze”, tha Coutinho.

Liverpool, që janë në vendin e tretë në tabelë, e presin Southamptonin të dielën.