Felix, tinejxheri yll i Benficas

Felix, tinejxheri yll i Benficas

20 April 2019 12:48

Edhe pse ka vetëm 19 vjet, Joao Felix tashmë po thyen rekorde, për të mos përmendur edhe interesimin e madh të skuadrave të njohura të Evropës për të dhe krahasimet me disa prej lojtarëve më të mëdhenj të Portugalisë.

Sulmuesi i Benficas u bë lojtari më i ri që shënoi “hat-trick” në Ligën e Evropës, kur javën e shkuar ndihmoi ekipin portugez të mposht Eintrachtin e Frankfurtit (4:2) në ndeshjen e parë çerekfinale që u zhvillua në Lisbonë, shkruan CNN, transmeton “Koha Ditore”. Pas kësaj, ai shënoi edhe një gol dhe asistoi dy herë në ndeshjen kampionale kundër Vitoria Setubalit, të dielën e shkuar. Kjo ka bërë që shumë skuadra të monitorojnë nga afër Felixin, si Juventus, Real Madrid, Manchester City e Manchester United.

Kjo nuk është keq për një futbollist, i cili debutoi me ekipin e parë të Benficas në muajin gusht të vitit të shkuar. Për ata që kanë punuar me Felixin, zhvillimi i tij i hovshëm nuk është befasi. Madje, ata kanë pritur një shpërthim të tillë.

“Ai është një lojtar shumë i talentuar, shumë teknik”, thotë Joao Tralhao, i cili e ka stërvitur Felixin te gjeneratat e reja të Benficas. “Felixi është lojtar i nivelit elitar. Thjesht, është i jashtëzakonshëm në çdo aspekt. Të rrallë janë ata të moshës së tij që mund të maten me Felixin”.

Tralhao zbulon se Felix për shumë kohë është stërvitur me ekipin e parë të Benficas, pavarësisht se luante me gjeneratat e reja. Sipas tij, të gjithë në klub e kanë pasur parasysh potencialin e tij të madh. Fakti që krahas talentit, Felixi është edhe shumë modest, ka dëshirë të punojë dhe i pëlqen të dëgjojë, e ka ndihmuar shumë në zhvillimin e tij.

“Ai ka një mentalitet të vërtetë fituesi. Është një lojtar që dëgjon shumë, punon shumë dhe është i përulur. Pa të gjitha këto komponente, ai nuk do të ishte lojtar kaq i mirë”, shprehet Tralhao.

Dallon prej Cristiano Ronaldos

I gjatë, por i këndshëm, Felix është i fortë në ajër dhe shumë i aftë me topin në këmbë. Balanca e tij, vizioni dhe stili i lojës kanë bërë që ai të krahasohet me ish-lojtarët si braziliani Leite Kaka dhe portugezi Rui Costa.

Njëmbëdhjetë gola në 21 ndeshje këtë edicion, kanë bërë të jetë në mesin e gjashtë golashënuesve më të mirë të ligës portugeze. Këto statistika e bëjnë Felixin edhe më të veçantë, pasi ai nuk luan sulmues në çdo ndeshje. Në të shumtën e rasteve, aktivizohet si mesfushor prapa repartit të sulmit.

Felix tashmë është shndërruar në idhull të tifozëve të Benficas, pasi këtë edicion po vlerësohet si lojtari kryesor në ekip.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme