Shampanja për festën e PSG-së ka tri javë që rri në akull

Shampanja për festën e PSG-së ka tri javë që rri në akull

20 April 2019 11:50

Pas dominimit të madh në kampionatin francez, Paris Saint-Germaini papritmas është futur në një krizë të formës, që i ka kushtuar me rezultate të dobëta.

Bazuar në diferencën e PSG-së me ekipet e tjera në Ligue 1, titulli i kampionit është dashur të jetë çështje e mbyllur deri më tash. Por shampanja e rezervuar për festë ka qëndruar tri herë në akull në ndeshjet e fundit, pa pasur arsye të hapet.

PSG-ja ka regjistruar një barazim dhe dy humbje, duke pësuar shumë gola, gjë që ka befasuar shumëkënd.

“Mund të them se jemi me fat që nuk kemi pranuar më shumë gola, duke e ditur se si kemi luajtur. Gjithmonë iu dal në mbrojtje futbollistëve kur luajnë me shpirt, por këtë herë nuk mundem, pasi paraqitjet e tyre ishin të tmerrshme në tri ndeshjet e fundit”, është shprehur trajneri i PSG-së, Thomas Tuchel.

Pas barazimit me Strasbourgun (2:2), PSG-ja është mposhtur nga Lille (5:1) dhe Nantesi (3:2). Prej vitit 1985, ekipit nga Parisi nuk i ka ndodhur që të pranojë 11 gola në tri ndeshje rresht, shkruan AP, transmeton “Koha Ditore”. Ndërsa, disfata nga Lille është më e thella për PSG-në prej vitit 2011, kur është futur nën pronësi të investitorëve nga Katari.

Në këto tri ndeshjet e fundit, PSG-së i ka mjaftuar vetëm një fitore për të konfirmuar titullin e kampionit. Pas kësaj serie të dobët, PSG-ja po shpreson që të dielën ta mposhtë Monacon dhe të festojë titullin e tetë në Ligue 1. PSG-ja prinë në tabelë me 81 pikë pas 32 xhirove të zhvilluara, duke lënë prapa Lillen me 17 pikë më pak - 64.

“Është dashur ta fitojmë titullin deri më tash, në mënyrë që të jemi më të relaksuar dhe të përgatitemi për finalen e kupës. Është e habitshme se si ekipi nuk reagoi në asnjërën në tri ndeshjet e fundit dhe natyrisht kjo më shqetëson”, është shprehur Tuchel.

Në fund të këtij muaji, PSG-ja do të luajë në finale të Kupës së Francës kundër Rennesit. Edhe në këtë ndeshje, te PSG-ja pritet të mungojë qendërmbrojtësi brazilian Thiago Silva. Ai mungoi në humbjet me Lillen dhe Nantesin, ku PSG-ja pranoi tetë gola.

“Silva po del të jetë lojtari më i rëndësishëm në repartin e mbrojtjes. Mungesa e tij ka bërë që ekipi të mos tregojë karakter, veçanërisht në mbrojtje”, ka shkruar “L'Equipe”.

Përderisa ka një mungesë të rëndësishme në mbrojtje, PSG-ja gjatë këtij muaji pritet të forcohet në sulm. Braziliani Neymar, që ka munguar prej muajit janar, do të jetë i gatshëm për lojë dhe ky është një lajm i mirë për trajnerin Tuchel.

“Neymari do të jetë i gatshëm dhe do të na ndihmojë në fazën finale, në të cilën duket se kemi nevojë për një shtytje të vogël”, është shprehur Tuchel.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme