Allegri insiston se Ronaldo është e ardhmja e Juventusit

Allegri insiston se Ronaldo është e ardhmja e Juventusit

20 April 2019 11:30

Cristiano Ronaldo është e ardhmja e Juventusit ndonëse nuk mund të garantojë triumfin e ekipit nga Serie A në Ligën e Kampionëve, ka thënë trajneri Massimiliano Allegri të premten. Gjithashtu, tekniku italian ka hedhur poshtë spekulimet se ylli portugez ka kërkuar largimin nga Juventusi gjatë kësaj vere pas dështimit në Ligën e Kampionëve.

Sulmuesi 34-vjeçar, të martën mbrëma shënoi golin e 26-të me fanellën e Juventusit në të gjitha garat, por nuk arriti ta shpëtojë prej eliminimit nga Ajaxi në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, transmeton “Koha Ditore”. Për Ronaldon kjo është hera e parë pas nëntë vjetësh që nuk do të luajë në gjysmëfinale të Championsit.

“Liga e Kampionëve tashmë ka marrë fund dhe rezultati përfundimtar është se ne jemi eliminuar. 'Ronaldo + Juventus' nuk është garanci për të fituar Ligën e Kampionëve, kjo nuk është matematikë. Në futboll ka edhe shumë komponentë të tjerë”, është shprehur Allegri. “Ronaldo është e ardhmja e Juventusit. Ai ka bërë gjëra të mëdha këtë edicion dhe do të vazhdojë të shkëlqejë edhe edicionin tjetër. Natyrisht, që është i zhgënjyer me eliminimin në Ligën e Kampionëve, por sikurse të gjithë lojtarët e tjerë është qetësuar”.

Ronaldo para fillimit të këtij edicioni u transferua te Juventusit nga Real Madridi për 112 milionë euro dhe me ekipin italian firmosi kontratë katërvjeçare. Edicionin e tij të parë në Serie A do ta mbyllë me vetëm dy trofe. Pas Superkupës së Italisë, Ronaldo pritet të fitojë edhe titullin e kampionit, pasi të shtunën (sot) i mjafton vetëm një pikë ndaj Fiorentinës në shtëpi.

“Ronaldo është krenar që do të fitojë titullin e kampionit, pasi për Juventusin do të jetë i teti rresht në Serie A. Për të ky është një edicion i suksesshëm, pasi ekipi ka realizuar 50 për qind të synimeve që i kishte”, ka shtuar Allegri.

Prej 26 golave në 38 ndeshje në të gjitha garat, Ronaldo ka edhe 12 asistime. Ai në kampionatin italian ka realizuar 19 gola në 26 paraqitje dhe po lufton për “Këpucën e Artë”.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme