Sport

Van Dijk: Nuk e di si do ta ndal Messin

Foto: Reuters

Mbrojtësi i Liverpoolit, Virgil van Dijk thotë se nuk e di se si do të arrijë të ndalë Leo Messin, për të cilin thotë se është lojtari më i mirë në botë.

Liverpooli e Barcelona do të takohen në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, me ç’rast do të sjellë edhe përballjen e njërit prej mbrojtësve më në formë aktualisht Van Dijk e pesë herë futbollistit më të mirë në botë, Leo Messi, transmeton Koha.net.

I pyetur se si planifikon ta ndalë Messin mbrojtësi holandez ka thënë se, “nuk e di, do të shohim. Do të jetë një ndeshje shumë e mirë për të gjithë ne. Jemi të lumtur që jemi sërish në gjysmëfinale dhe kjo është e tëra që mund të them”.

Ai insiston se duhet të mbrohen në mënyrë ekipore e kështu ka qenë gjithmonë, raporton Goal.

“Gjithçka ka të bëjë që të mbrohemi së bashku, asnjëherë nuk është për një kundër një, asnjëherë nuk është veçanërisht unë kundër një sulmuesi të caktuar. Gjithmonë është ne kundër të tjerëve dhe mendoj se kjo është mënyra më e mirë me të cilën ne mund të mbrohemi mirë. Do të jetë shumë e vështirë dhe mendoj se ai është lojtari më i mirë në botë por do të shohim”, është shprehur Van Dijk.

Holandezi gjithashtu është shprehur i lumtur që do të përballet me Barcelonën, dhe kjo sipas tij është më e rëndësishmja.