Sport

Ronaldo i pushuar mund të jetë rrezik për Ajaxin

Foto: Reuters

Një Cristiano Ronaldo i pushuar është gjithmonë i rrezikshëm. Për këtë mund të pyetet edhe Atletico Madridi.

Ronaldo kishte pushuar para ndeshjes së kthimit të 1/8 së finales të Ligës së Kampionëve dhe reagoi duke shënuar tre gola në fitoren 3:0 të Juventusit ndaj Atleticos, ndërsa skuadra italiane përmbysi disavantazhin prej 2:0 nga ndeshja e parë.

Ronaldo sërish u pushua të shtunën, së bashku me disa lojtarë të tjerë titullarë, para ndeshjes çerekfinale kundër Ajaxit të martën.

Kundër SPAL-it në Serie A, Juventusi pati vetëm dy lojtarë nga përbërja startuese që kishte barazuar 1:1 me Ajaxin në Amsterdam. Juventusit iu desh vetëm një pikë ndaj SPAL-it për të siguruar për herë të tetë rresht titullin e Serie A. Mirëpo, skuadra e dytë e Juventusit pësoi 2:1.

Me gjashtë xhiro të mbetura, trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri, nuk ishte shumë i zhgënjyer, edhe pse humbja nënkuptoi se Juventusi nuk do të mundë të thyejë rekordin e 102 pikëve në Serie A që e kishte vendosur në stinorin 2013-14... (Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)