Kroati Pero Pejiç, makinë golash në Shqipëri

Kroati Pero Pejiç, makinë golash në Shqipëri

01 May 2017 16:05

Historia e golashënuesve të Kampionatit Kombëtar të Futbollit përfshin disa emra mbresëlënës. Dhe në 10-shen e parë të tyre është edhe një huaj. Pero Pejiç është tashmë 35 vjeç dhe në vitin e tij të 10-të të tij në Shqipëri, me ndonjë ndërprerje të shkurtër, është shndërruar padyshim në një nga lojtarët më të spikatur të 17 viteve të para të këtij mijëvjeçari, shkruan RTSH.

Që nga ai gol i parë më 28 prilli të vitit 2007, ku skuadra e tij e parë shqiptare, Dinamo, mundej 1-2 në derbin me Tiranën, kroati nuk ka rreshtur së shënuari. 6 gola në 13 ndeshje në atë gjysmësezon në vend të 5-të me Dinamon, janë preludi i 18 golave në 31 ndeshje në sezonin 2007-2008, që u mbyll me kurorën e kampionit me blutë kryeqytetas.

Pejiç do të rikthehet në verë të 2010-tës në Shqipëri, këtë radhë me fanellën e Tiranës, duke shënuar 16 gola në 36 ndeshje me bardheblutë dhe duke fituar Kupën e Shqipërisë.

Pas një mungese të shkurtër, rikthehet në sezonin 2012-2012 me Flamurtarin, për të cilin realizon 15 gola në 23 takime.

Nga Vlora, ai zhvendoset për dy sezone në Korçë, ku ka kulmin e vet. Ai fiton dy herë kampionatin, si dhe një herë Superkupën e Shqipërisë, duke shënuar në total plot 40 gola në 68 ndeshje me Skënderbeun.

Kalon më pas në Kukës, në sezonin 2014-2015 dhe 2015-2016, duke shënuar 38 gola në 45 ndeshje, përfshi 31 gola të realizuar brenda një sezoni të vetëm, dhe duke fituar edhe Superkupën në 2016-n. Rikthimi i tij tek Kukësi këtë sezon nuk ka qenë më pak produktiv, pasi kroati, edhe pse tanimë 35 vjeç, mbetet po aq i vendosur, duke shënuar plot 22 herë në 25 ndeshje dhe duke e mbajtur Kukësin në betejën për titull. Pas Dinamos në Shqipërinë e Mesme dhe Skënderbeut në atë Juglindore, golashënuesi kroat duket se po kërkon ta shijojë titullin edhe në verilindje.

Megjithatë, kur gjithçka do të sqarohet pas 5 javësh, ajo që mbetet e sigurt është se Pero Pejiç mbetet një makinë golash.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme