Llapi bëhet me aksionarë nga Gjermania Foto: Koha

Llapi bëhet me aksionarë nga Gjermania

15 April 2019 13:15

Klubi i futbollit Llapi, kishte mysafir të veçantë nga Gjermania, të cilët i nderuan me një pikturë që pasqyron qytetin e Podujevës.

Kryetari i klubit gjerman Teutonia Sankt Tonis, Holger Krebs dhe aksionari nga Kosova që vepron në Gjermani, Alber Hashimi, kishin ardhur për të biseduar me drejtuesit e Llapit, në mënyrë që të bëhen pjesë e klubit dhe, në të njëjtën kohë, e panë nga afër ndeshjen Llapi - Gjilani.

Krebes, i cili e drejton klubin që bën gara në ligën e gjashtë për nga niveli në futbollin gjerman, ka deklaruar për “Sportin në KTV”, se ka ardhur për ta shikuar gjendjen e Llapit dhe, në ditën e parë, është ndarë shumë i kënaqur me atë që ka parë.

“Kontaktet e para me Llapin kanë ardhur përmes Albert Hashmit. Kjo është hera e parë që jam këtu. Sa i përket ndeshjes, më pëlqeu shumë, ishte lojë e mirë dhe kishte atmosferë në tribunë. Ne po e marrim fitoren me vete në Gjermani dhe kjo fitore u bë edhe më e madhe pas humbjes së Feronikelit. Mendoj se me punë serioze, Llapi mund të ecë shumë”, ka thënë Holger Krebs, Kryetar i Teutonia Sankt Tonis.

Gjermani thotë se janë duke e analizuar situatën dhe shumë shpejt do ta nënshkruajnë marrëveshjen që të jenë pjesë e Llapit, e ku do të precizohen të gjitha gjërat.

“Do të ketë nevojë që të bisedojmë për një koncept të klubit dhe ta rrisim sa më shumë nivelin e organizimit dhe gjërave tjera. Fokusi ynë do të jetë edhe te gjeneratat e reja, në mënyrë që talentet e shumta të kenë një të ardhme të sigurt. Bisedat që kemi bërë janë shumë pozitive dhe besoj që do ta gjejmë një rrugë të përbashkët. Shumë shpejt do të sqarohen të gjitha gjërat dhe do të nënshkruajmë kontratën”, shtoi Krebs.

Aksionar serioz për të ardhmen e sigurt të Llapit, i ka quajtur kryetari i klubit nga Podujeva, Beqir Batatina.

Ai ka treguar se, përveç ndihmës financiare, aksionarët e rinj do të ndihmojnë shumë në rrugën e talenteve të reja drejt Evropës.

Llapi po lufton për titull të kampionit, ku ndodhet në vendin e tretë me 3 pikë më pak se Feronikeli e Prishtina që renditen në pozitat një, respektivisht, dy.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme