Sport

Shields fiton përballjen historike me Hammerin

Disa ditë para se të takohej me Christina Hammerin në meçin për të katër titujt e mëdhenj të botës në peshën e mesme në boksin profesionist te femrat, Claressa Shields e bëri të qartë se si do të shkojë meçi i së shtunës dhe se çfarë do që të thonë njerëzit pasi të mbarojë.

“Kur ta mposht Christina Hammerin të shtunën, dua që të gjithë të shkruajnë në titull, 'Shields gozhdon Hammerin'“, kishte thënë boksierja Shields.

Shields vërtet e bëri këtë. Ajo i arsyetoi me vepra të gjitha fjalët që kishte thënë para meçit, duke dhuruar një performancë maestrale në meçin që është dashur më tepër se një vit për t'u organizuar, shkruan ESPN, transmeton “Koha Ditore”.

Shields dominoi dhe mposhti me vendim unanim Hammerin, për të fituar të gjithë titujt e mëdhenj në peshën e mesme, në një meç që është vlerësuar më i madhi në histori të boksit të femrave. Meçi u zhvillua në Atlantic City në SHBA.

Dy anëtarë të jurisë vlerësuan luftën 98:91 për amerikanen, ndërsa njëri 98:92.

Shields kishte në pronë titujt WBC, WBA dhe IBF, ndërsa ia ka marrë Hammerit edhe titullin WBO.

Meçi ishte paraparë të mbahej më 17 nëntor, por ishte shtyrë për shkak se Hammer ishte sëmurë.

“Unë jam boksierja më e madhe e të gjitha kohërave. Ia dola. Ajo nuk fitoi asnjë raund. Unë gati sa nuk e nokautova. Betohem se ndihem sikur po ëndërroj tash. Falënderoj Christina Hammerin dhe skuadrën e saj. Thoshin se ka një goditje direkt të fortë dhe nuk po gënjenin. Direkti i saj është i hekurt”, ka thënë Shields.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)