Sport

Rigon Baruti, kampioni që “po djeg” kundërshtarët

Në Aalborg të Danimarkës dha shenja se po ngrihet në karateist të nivelit të lartë. 

Në Antalya të Turqisë e konfirmoi këtë. Rigon Baruti 15-vjeçar nga Mitrovica ishte garuesi i vetëm që fitoi medalje të artë në kampionatin mesdhetar të karatesë për kadetë, juniorë dhe garues deri 21 vjeç. 

Kampionati mesdhetar për kategori të reja u mbajt fundjavën e kaluar në qytetin bregdetar turk. Baruti fitoi të artën në kategorinë deri 57 kilogramë në grupmoshën e kadetëve. Ishte në majë të podiumit, ku zunë vend edhe dy garues të Serbisë, shkruan sot Koha Ditore.

Ndaj njërit prej tyre fitoi pikërisht në finale. Vendi i parë në kampionatin mesdhetar është suksesi më i madh në karrierën e deritashme të Rigon Barutit. Por ai qysh këtë vit synon suksese edhe më të mëdha. Synon ndër të tjera medalje botërore. 

Medaljes në ngjarje të madhe i ishte afruar në shkurt të këtij viti, kur mori pjesë në kampionatin evropian për kadetë, juniorë dhe garues deri 21 vjeç. Përfundoi i pesti, pra ishte një fitore larg medaljes. 

Në Antalya, Kosova fitoi tetë medalje, por vetëm një të artë. Kështu Baruti ka nisur të kthejë lavdinë e karatesë mitrovicase që nuk ka dhënë shumë garues të nivelit të lartë në vitet e fundit, por kishte suksese kulmore në dekadat e kaluara, sidomos nën okupim. 

“Jam shumë i kënaqur me paraqitjen time në kampionatin mesdhetar. Nuk ka asnjë sportist që nuk bën gabime. Gabime kam pasur edhe unë, ndonëse fitova medaljen e artë, ndërsa ato pas secilës garë mundohemi t’i përmirësojmë. Te vendi i parë në Mesdhe kam arritur falë punës së madhe dhe përkushtimit. Kam besuar se do të dal kampion, pasi për disa kohë jam paraqitur mirë në gara të nivelit të lartë”, ka thënë Rigon Baruti në një bisedë për gazetën.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)