Sport

Khadem thyen barrierat për femrat iraniane me grusht

Dy vjet pas seancave të fshehta stërvitore në malet e Teheranit, Sadam Khadem, do të bëhet femra e parë nga Irani që do të boksojë në një meç zyrtar, me shpresën që të hapë rrugën edhe për femrat e tjera në këtë republikë islamike.

Ky meç boksi do të mbahet në perëndim të Francës të shtunën, kurse Khadem 24-vjeçare është përgatitur nga trajneri francez Mahyar Monshipour, i cili ka lindur në Iran dhe është ish-kampion bote në kategorinë superbantam, shkruan Reuters, transmeton “Koha Ditore”.

“Në vitin 2017 shkova në Iran për një ngjarje promovuese dhe përfundova me organizimin e një seance stërvitore publike mbi kodrat e Teheranit. Rreth 35 njerëz u shfaqën dhe në mesin e tyre kishte edhe femra”, thotë Monshipour.

“Khadem më kontaktoi në rrjetet sociale për të më pyetur nëse do të mund ta bëjë boksiere, por i thashë që nuk është e mundur. Pastaj para disa muajve, federata iraniane hapi dyert për femrat në boks dhe kështu e ndihmova Khademin. Ishte shumë vështirë edhe për mua, pasi në Iran kërkonin trajnere për të dhe në fund donin që në meçin e saj të parë zyrtar edhe gjyqtaret të ishin femra. Kështu që, me ndihmën e Ministrisë së sportit, këtë meç e zhvendosëm në Francë”, shtoi Monshipour.

Javën tjetër, Khadem do të kthehet në Iran dhe trajneri Monshipour është i bindur që ajo do të pritet mirë nga të gjithë njerëzit, pasi është boksierja e parë nga Irani. Ai do të udhëtojë me të për t'u siguruar që askush nuk do t'i shkaktojë probleme në një vend ku femrat kanë filluar të heqin shamitë si protestë paqësore kundër hixhabit të detyrueshëm.

“Unë besoj që ajo do të pritet si heroinë, por nëse përfundon në paraburgim për shkak të ligjeve të ashpra, atëherë do ta bëj të pamundurën për ta larguar nga Irani. Khadem do të jetë një boksiere shumë e mirë dhe për këtë arsye do t'i qëndroj pranë tërë kohën”, është shprehur Monshipour.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)