Sport

De Ligt mes Barcelonës e Bayernit

Trajneri i Ajaxit, Erik ten Hag ka pranuar se qendërmbrojtësi Matthijs de Ligt do të largohet nga ekipi në fund të këtij edicioni dhe do të transferohet te Barcelona ose Bayern Muecheni, kanë njoftuar "Suddeutschen Zeitung" të premten.

De Ligt 19-vjeçar, është kapiten i Ajaxit dhe njëri prej mbrojtësve më perspektiv në Evropë. Për lirimin e tij në fund të këtij edicioni, Ajaxi ka caktuar çmimin prej 75 milionë eurosh, transmeton Koha Ditore.

"Nuk ka gjasa që De Ligt të mbetet te Ajaxi edhe edicionin e ardhshëm. Ka shumë klube të mëdha të Evropës që kanë shprehur interesim për të. Ai përfundimisht do të largohet në verë, por nuk e di se a do të transferohet te Barcelona apo Bayerni", ka thënë Ten Hag.

De Ligt këtë edicion ka 46 ndeshje në të gjitha garat dhe katër gola të shënuara. Ai ka kontratë me Ajaxin deri në vitin 2021.