Sport

Hendboll, Kosova U-19 fiton ndeshjen e parë

Përfaqësuesja U-19 e Kosovës në hendboll e ka fituar ndeshjen e parë të saj në garën IHF Trophy Intercontinental që po mbahet në Prishtinë.

Kosova U-19 të enjten pasdite në palestrën e vogël të Pallatit të Rinisë e mposhti Zelandën e Re me rezultatin bindës, 41:14. Lojtarët e Zelandës para ndeshjes bënë një vallëzim tradicional “haka”, por në ndeshje nuk shfaqën shumë, shkruan sot “Koha Ditore”.

Adonit Isufi realizoi tetë gola për Kosovën, ndërsa shtatë herë shënoi Ylli Muqolli. Plot 12 lojtarë të Kosovës realizuan në këtë ndeshje. Kosova U-19 është në Grupin B, ku bën pjesë edhe Kanadaja. Kanadaja të mërkurën e mposhti Zelandën e Re me shifrat 37:10.

Ndeshja vendimtare për vendin e parë në grup luhet të premten (sot) nga ora 17:00. Në Grupin A janë Taipei Kinez, Nigeria e Paraguai. Të shtunën janë gjysmëfinalet e të dielën finalja dhe ndeshja për vend të tretë.

Gara IHF Trophy Intercontinental, që është organizim i Federatës Botërore të Hendbollit, po zhvillohet edhe në grupmoshën e juniorëve, U-21. Madje te juniorët fituesi kualifikohet në botërorin që mbahet në korrik në Spanjë.

Kosova të mërkurën në ditën e parë të garave e mposhti Taipein Kinez me shifrat 31:23. Të enjten në kuadër të Grupit A, Taipei Kinez fitoi ndeshjen dramatike ndaj Nigerisë me rezultatin 39:20. Të premten (19:00) është ndeshja Nigeria - Kosova.

Në grupin tjetër janë SHBA-ja, Australia e Paraguai. Të mërkurën SHBA-ja fitoi ndaj Australisë me shifrat 31:20, ndërsa të enjten Paraguai fitoi ndaj Australisë me rezultatin 32:19. Ndeshja Paraguai - SHBA-ja vendos për vendin e parë në grup, ndërsa zhvillohet të premten nga ora 15:00. Edhe te U-21 të shtunën janë gjysmëfinalet e të dielën finalja dhe ndeshja për vend të tretë.