Sport

Historia frymëzuese e notares me këmbë të amputuara që i mbijetoi sulmit kamikaz të babait të saj

Haven Shepherd ishte foshnje kur babai i saj mori një vendim fatal.

Ai hyri në kasollen ku jetonin, në Vietnam, lidhi veten dhe bashkëshorten në një pajisje shpërthyese ndërsa Havenin e mbajti në krahë.

Forca e shpërthimit të bombës vrau menjëherë prindërit e saj ndërsa Havenin e hodhi 9 metra larg kasolles.

Ajo u gjet e djegur, me copëza të bombës në kokë dhe me këmbët e copëtuara. Por i mbijetoi sulmit vetëvrasës të babait.

Haven tani buzëqesh dhe kujton sesi kur ishte e vogël e thërrisnin “vajza e mrekullisë”, edhe pse ka shumë pak kujtime të jetës së saj në Vietnam.

Pas shpërthimit gjyshja e dërgoi në spital. Një udhëtim i gjatë me motoçikletë nëpër male dhe xhungla, por Haveni arriti të mbijetojë.

Në spital, asaj iu amputuan dy këmbë për të parandaluar infektimin. Ajo qëndroi në trajtim për më shumë se një muaj.

Gjyshërit e saj ishin shumë të varfër për të përballuar shpenzimet ndaj vendosën ta jepnin për adoptim.

Ky vendim ia ndryshoi jetën.

Ndërsa Haven ishte në spital, Shelly dhe Rob Shepherd, nga Amerika, dëgjuan për rastin. Edhe pse kishin 6 fëmijë dhe drejtonin një biznes mendonin se familja e tyre nuk ishte e plotë. Ndaj vendosën ta adoptonin.

Ishte pikërisht familja e saj e re që e drejtoi drejt sportit.

Fillimisht vendosi të vraponte si motrat e saj, por djersa në këmbë ia bënte shumë të vështirë.

Ndaj, nëna e saj adoptive Shelly i sugjeroi të notonte.

Ajo filloi të notonte në moshën 10-vjeçare dhe Haven filloi të merrte pjesë në gara.

Verën e kaluar, udhëtoi në Itali së bashku me konkurrentë të tjerë paraolimpikë nga Shtetet e Bashkuara. Ekipi fitoi dy medalje.

Ka mbetur rreth 1 vit e gjysmë për zhvillimin e Lojërave Olimpike dhe Paraolimpike në Tokio. Dhe Haveni do të përfaqësojë ekipin e Shteteve të Bashkuara./oranews